Artan Behrami, Blerim Shala, Ismail Syla, Vllaznim Kryeziu, Milaim Ahmetaj, Milaim Cakiqi, Avni Kastrati dhe katër persona me emra të redaktuar, janë persona që u ndaluan të vizitojnë Hashim Thaçin në Hagë.
Vendimi për ndalimin e këtyre personave, është publikuar të martën dhe hynë në kuadër të çështjes për pengimin e drejtësisë.
Prokuroria kishte kërkuar ndalim vizitash edhe për tre vëllezërit e Thaçit, por gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, e refuzoi këtë, duke theksuar se kontakti me familjen është e drejtë thelbësore, sidomos pas ndarjes nga jeta të babait të Thaçit.
Sipas Prokurorisë, disa vizitorë kanë marrë udhëzime nga Thaçi për t’i përcjellë te dëshmitarët, ndërsa gjykata konstatoi se ekzistojnë tregues të besueshëm për shpërndarje të informacioneve konfidenciale. Kufizimet vlejnë vetëm për individët tek të cilët janë identifikuar këto rrethana.
Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë për të kufizuar bisedat e Thaçit gjatë vizitave u hodh poshtë si e panevojshme dhe joproporcionale. Vendimi do të rishikohet çdo tre muaj.
Ndaj vendimit për ndalimin e 11 personave Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk ia lejojnë Hashim Thaçit që të apelojë.
Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e DhSK-së, Angela Griep, e cila tha se në vendimin e saj, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot kishte thënë se kishte vlerësuar qartë nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve dhe ndalimi i vizitave të tyre ishte i domosdoshëm.
“Më 18 gusht, gjykatësja e procedurës paraprake, rrëzoi kërkesën e z. Thaçi për apelimin e vendimit të saj. Gjatë trajtimit të pikave të ngritura në kërkesën e mbrojtjes, gjykatësja bëri të qartë se kishte vlerësuar nivelin e rrezikut që paraqiste secili prej vizitorëve ashtu edhe nëse ndalimi i vizitave të këtyre personave ishte i domosdoshëm dhe proporcional, për të zvogëluar rrezikun e zbulimit të paligjshëm të informacionit konfidencial”, ka thënë ajo.
Ndalimi i vizitorëve për ruajtjen dhe efikasitetin e Gjykatës Speciale
Juristi Blerim Burjani, thotë se në rastet e rënda të kësaj natyre, bëhet ky vlerësim.
Sipas Burjanit, dyshimet e gjykatës kanë ardhur deri te ky vendim i masës së sigurisë së procesit.
“Ky është vlerësim i Gjykatës dhe masë e sigurisë për punën e Gjykatës. Kjo bëhet në rastet e rënda të kësaj natyre. Këta njerëz janë vlerësuar që kanë mundësi ndikimi te të tjerët, andaj kjo është masë që përdor gjykata për ruajtjen dhe efikasitetin e punës së saj. Dyshimet e gjykatës kanë sjellë deri te ky vendim i masës së sigurisë së procesit”, deklaron Burjani.
Tentim ndikimi në drejtësi?
Ndërsa, ish- eprori i lartë i UÇK-së, Naim Miftari, konsideron se ndalesa është plotësisht e drejtë e gjykatës.
Sipas tij, “hilja” shkon deri në lutje që të ndikohet direkt në gjykatë.
“Ndalesa e vizitave private është plotësisht e drejtë e gjykatës, pasi kanë hasur në hile dhe dallavere që i bën i akuzuari Hashim Thaçi, i cili përmes vizitorëve është vërtetuar se ka tentuar të ndikojë në dëshmitarë dhe ta devijojë të vërtetën rreth këtij procesi gjyqësor dhe hilja shkon deri aty sa që lutet Grenellit përmes sekserëve të Hashim Thaçit që të ndikojë direkt në gjykatë”, deklaron Miftari.
Sipas tij, burgu nuk është hotel, as klub i masazhit dhe klani Pronto harron që Thaçi është një i akuzuar atje.
“Ligjërisht dihet se i akuzuari ka të drejtë në vizita të gruas, fëmijëve, familjarëve të afërt dhe avokatit, por jo të vizitohet nga 25 persona të ndryshëm – burgu nuk është hotel as klub i masazhit. Si duket Hashim Thaçi dhe klani Pronto po mendojnë se ende Thaçi është kryetar, kryeministër, prokuror… por harrojnë faktin se tani është vetëm një i akuzuar dhe se si prokuror në GJKS nuk i ka prokurorët kukulla të vet si Kabashin, Lumezin, Hoxhën, Milakun dhe Blerim Isufin!”, shprehet ish- eprori.
Gjersa, Gjykata Speciale ia ndalon Thaçit vizitorët, OVL e UÇK po proteston ndaj Gjykatës Speciale.
OVL e UÇK-së ka bërë të ditur se protesta kundër Gjykatës Speciale që nisi më 7 gusht në Prishtinë, do të vazhdojë edhe më 14 shtator në Hagë, nën organizimin e diasporës shqiptare.
“Me kërkesë të bashkëluftëtarëve tanë që i kemi në mërgatë, sidomos në Amerikë dhe në Evropë kanë kërkuar të mbahet një protestë në Hagë, më datë 14 shtator, ditë e diel. Në momentin që ata kanë kërkuar, ne i kemi mbështetur, dhe me të gjitha kapacitetet tona ne jemi në mbështetje të protestës. “Ne veçse kemi paralajmëruar për protestën që do të mbahet në Hagë, që do të jetë vazhdim i protestës që u mbajt në Prishtinë më 7 gusht. Unë bëj thirrje, pasi kjo është një protestë gjithë-popullore”, ka thënë kreu i kësaj organizate Hysni Gucati.
Gucati ka shtuar se kjo protestë po bëhet që t’i bëhet e ditur Gjykatës Speciale se gjykimi atje shihet si i padrejtë
Derisa kryetari i OVL UÇK-së, thotë se kërkesat do të jenë po të njëjtat, por vetëm që do të përkthehen në gjuhën angleze.
Por, të vonuara i konsideron protestat juristi Blerim Burjani, i cili thotë se në fund të këtij procesi ka pakënaqësi.
Sipas tij, gjykata nuk pranon presion nga askush.
“Protestat janë të vonuara, por edhe nuk kanë asnjë efekt tek procesi. Pra, protestat bëhen për shkak të dyshimit se nuk ka drejtësi dhe është proces manipulues i gjykatës. Kjo çështje e protestuesve, reagim të shtetit të Kosovës nuk ka pasur asnjëherë. Tash është fundi i këtij procesi. Në fund të këtij procesi ka pakënaqësi. Ishte dashtë me pas reagim shtetëror edhe atëherë, por edhe atëherë do të ishte cilësuar si ndërhyrje në drejtësi, pasi që gjykata nuk pranon presion nga askush, as nga brenda e as nga jashtë. Pra, vendos me fakte, bazuar në fakte, por jo në pakënaqësi ndaj gjykatës”, shprehet Burjani.
Ndërsa, ish- eprori Naim Miftari, thotë se protestat nuk duhet të politizohen.
“Tentimi për ta kontrolluar agjendën në këtë gjykatë dhe në politikën e Kosovës nga ana e Hashim Thaçit kurrë nuk ka pushuar, ndërsa OVL që është vetëm një degë politike e PDK-së dhe AAK-së… në thirrjen për protestat kanë të drejtë të mbahen kudo qoftë, por të mos i keqpërdorin politikisht këto protesta si herën e fundit. Dihet se kjo është OVL politike e veteranëve të rrejshëm dhe opozitës”, deklaron Miftari.
Ai shton se demostratat është dashur të thirren kur i janë bërë padrejtësi ish- ushtarëve të UÇK-së me dekada.
“Protestat është dashur që OVL t’i thërriste kur Hashim Thaçi, duke menduar se po shpëton vetë, e ka sjellë në Kosovë dhuratë Gjykatën Speciale dhe i ka detyruar deputetët ta votojnë këtë gjykatë të padrejtë. Demonstrata është dashur të thirret kur janë bërë padrejtësi ish-ushtarëve të UÇK-së me dekada. Demonstrata është dashur të thirret kur u dënua Salih Mustafa (Cali), por pyetja një milion dollarëshe është: pse demonstrata tani? Apo ndoshta demonstrata është thirrur sepse Hashim Thaçi veç e di edhe vetë se do të dënohet, e tani sillet si në tregimin kur dhelprës i është djegur bishti dhe ka ulëritur se kinse u dogj bota”, shton Miftari.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në Hagë që nga viti 2020 dhe gjykohen për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe pengim të drejtësisë.











Leave a Reply